KRU “Mitrovica” bën thirrje që të mos keqpërdoret uji i pijshëm

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka bërë thirrje për banorët e Mitrovicës së Jugut, asaj të Veriut, Vushtrrisë, Skenderajt, Zubin Potokut dhe Zveçanit që të mos keqpërdoret uji i pijshëm.

KRU ‘Mitrovica’  thotë se uji i papërpunuar blihet nga “Ibër Lepenc-i”, përpunohet me kujdes nëpërmjet shumë fazave teknike, klorifikohet, filtrohet, monitorohet dhe shpërndahet me sakrificë të madhe. Por sipas tyre, mbi 60% e këtij uji humbet.

“Rrjedhjet, rrjeti i vjetër, kyçjet ilegale dhe keqpërdorimet janë plagë që po e dëmtojnë sistemin tonë, përpjekjet tona, dhe mbi të gjitha – të drejtën tuaj për ujë”, thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.

Kjo kompani ka disa këshilla që qytetarët ta mbrojnë këtë pasuri, siç është uji.

“Mos lejoni rrjedhje në lagjen tuaj, raportoni kyçjet ilegale, kurseni ujin në përdorim të përditshëm. Uji është jetë, mos lejoni të ikë kot”, thuhet në njoftim.

KRU “Mitrovica” ka inkurajuar qytetarët që për çfarëdo shqetësimi të thërrasin në numrin pa pagesë: 0800-900-70. Gjithashtu t’i vizitojnë zyrat e kompanisë apo të shkruajnë direkt në rrjete sociale. /Kosova.info/

Go to TOP