Precedenti që i shpëton të korruptuarit: Rasti Rikallo, mburojë për ministrat që dëmtojnë buxhetin
Gazetari Besnik Krasniqi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci duke theksuar se ky i fundit s’ka pse të shqetësohet, pasi tashmë ekziston një precedent gjyqësor që e mbron edhe kur kontratat abuzive i dërgojnë milionat te bizneset e lidhura me politikën.
Ai iu referua vendimit të Gjykatës së Apelit vitin e kaluar, e cila i liroi ish-ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, dhe ish-sekretarin Kapllan Halimi, të dënuar në shkallë të parë për abuzim me grantet prej 4 milionë eurosh. Këto grante, sipas një hulumtimi të KOHËS, ishin përfituar nga kompani të lidhura me politika e interesa të ngushta.
Në vendimin e saj, Apeli kishte arsyetuar se mungesa e “qëllimit kriminal” e përjashton përgjegjësinë penale, edhe nëse ekzistojnë shkelje të shumta ligjore. “Përderisa nuk ekziston, nuk manifestohet dhe nuk provohet ky qëllim, shkeljet eventuale ligjore sa do të numërta që mund të jenë, mbesin jashtë domenit të juridiksionit penal,” thuhet në vendim.
Krasniqi përmbyll me një mesazh të ashpër: “Të korruptuarit duhet të kalben në burg. Por, kurrë nuk kemi me e mbërri atë ditë, për aq kohë sa drejtësia ndahet nga gjyqtarë që shërbejnë si mburojë për të korruptuarit.”
Ky precedent, sipas tij, vetëm sa i inkurajon zyrtarët që të vazhdojnë me abuzime duke e ditur se mungesa e “dashjes” mjafton për t’i shpëtuar drejtësisë. /Kosova.info/
