Baraliu: Partitë duhet ta pranojnë propozimin e VV-së për kryetar Kuvendi – por edhe të shpëtojnë Kosovën nga devijimet e rrezikshme të Kurtit

Analisti Bleron Baraliu ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në vend duke dhënë tri qëndrime të qarta për të cilat thotë se partitë ish-opozitare duhet të veprojnë menjëherë.

Sipas Baraliut, partitë duhet ta pranojnë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar/e të Kuvendit dhe të zhbllokojnë situatën institucionale – “pavarësisht të gjithave”.

Ai thotë se populli thotë “budallës duhet me ja lëshu udhën” dhe se Kuvendi nuk duhet të mbyllë punimet pa zgjedhur kryetarin duke kërkuar që ligji të ndryshohet sa më shpejt për të shmangur bllokada të tilla në të ardhmen – siç ndodh në Kongresin Amerikan, ku qëndrohet derisa të zgjidhet udhëheqja.

“Deri atëherë, le të bëhet kryetare ajo që është propozuar, pavarësisht a vjen nga një miop i pakorrigjueshëm”, shkroi ai.

Ai kërkon që partitë ish-opozitare të ulen bashkë dhe të mos dalin nga takimet pa një marrëveshje për qeveri të përkohshme apo teknike që mund të funksionojë deri në pranverën e ardhshme. Nëse kjo nuk arrihet brenda 24 orëve, atëherë sipas tij, duhet të pajtohen dhe të votojnë qeverinë e propozuar nga VV.

Baraliu e përfundon me një paralajmërim të ashpër: “Është imperative ta shpëtojmë Kosovën nga devijimet e rrezikshme të Albin Kurtit.”

Ai thekson se sado vota të ketë marrë Kurti, legjitimiteti demokratik nuk i jep të drejtë askujt të shpërbëjë institucionet dhe të shantazhojë shtetin.

Sipas tij, Kurti nuk është më thjesht një politikan kokëfortë, por po vepron në mënyrë arbitrare duke sfiduar çdo logjikë politike dhe institucionale.

“Çdo njeri që mbyll sytë ndaj këtij realiteti është bashkëfajtor në krizën që po thellohet. Refuzimi për të parë çfarë po ndodh nuk është neutralitet – është akt i rëndë i papërgjegjshmërisë dhe braktisjes së ndërgjegjes kolektive”, përfundon Baraliu.

Ai i krahasoi veprimet e Kurtit me ato të liderëve autoritarë dhe narcisistë në histori duke thënë se ndonëse Kurti nuk ka kapacitet të vendosë diktaturë në Kosovë, dëmet që po shkakton janë reale, të thella dhe në rritje. /Kosova.info/

Go to TOP