Bahtiri: Jemi të gatshëm për zhbllokim, po apelojmë që të ecim përpara
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka ritheksuar gatishmërinë e subjektit të tij për të kontribuar në zhbllokimin e situatës së krijuar lidhur me konstituivin e Kuvendit të Kosovës.
Para nisjes së seancës së sotme, Bahtiri u shpreh se janë në pritje të qëndrimeve të opozitës:
“Ta shohim çfarë po thotë opozita. Ne çdo herë jemi të gatshëm për të dhënë kontribut, për të zhbllokuar këtë situatë,” tha ai.
Sa i përket deklaratave të deputetes Duda Balje, e cila ka pohuar se i është ofruar një pozitë profesoreshë në Maqedoninë e Veriut në këmbim të votës për kryeparlamentarin, Bahtiri tha se nuk është i informuar për këtë çështje.
“Nuk jam i njoftuar për këtë, por ne po bëjmë përpjekje, po apelojmë te të gjithë njerëzit e devotshëm, njerëzit që ia duan të mirën këtij vendi – sidomos ata që kanë marrë besimin e qytetarëve – që të zhbllokojnë situatën dhe të ecim përpara, sepse na presin shumë punë”, theksoi deputeti i LVV-së.
Në fund, Bahtiri ripërsëriti se koalicioni LVV, Lista Guxo dhe Alternativa nuk janë bllokues të procesit.
“21 orë janë shumë, jo 21 ditë… Ne jemi çdo herë pro, nuk jemi bllokues, por po dihet kush është bllokuesi,” përfundoi ai. /Kosova.info/
