“Pastrimi” kërkon zgjidhje urgjente nga Komuna: Kontrata për hapësirat publike nuk zëvendëson shërbimet bazë të mbeturinave
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga ndërprerja e shërbimit të largimit të mbeturinave në Prishtinë duke vlerësuar çdo përpjekje për bashkëpunim, por duke theksuar se kontrata e nënshkruar për mirëmbajtjen e hapësirave sipërfaqësore nuk adreson problemin kryesor.
Në një komunikatë për media, “Pastrimi” sqaron se marrëveshja e arritur me Komunën ka të bëjë me pastrimin dhe mirëmbajtjen e parqeve, hapësirave publike dhe zonave të ngjashme, dhe përbën një shërbim shtesë, i ndryshëm nga ai i grumbullimit dhe transportit të mbeturinave.
“Kontrata është nënshkruar në dakordim me përfaqësuesit e punëtorëve si një hap drejt bashkëpunimit, mirëpo ajo nuk e zgjidh problemin themelor që ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave dhe pagesat e papaguara për më shumë se katër muaj”, thuhet në njoftim.
Sipas “Pastrimit”, mungesa e këtyre pagesave ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për furnizim me naftë, që është kusht për rifillimin e operimit normal dhe garantimin e qëndrueshmërisë financiare të kompanisë.
KRM “Pastrimi” i bën thirrje Komunës së Prishtinës për një takim urgjent me qëllim të adresimit të kontratës për shërbimet bazë dhe shlyerjes së obligimeve financiare, në mënyrë që të rikthehet normaliteti dhe të vazhdohet ofrimi i shërbimeve për qytetarët.
“Kemi qenë dhe mbetemi të hapur për bashkëpunim në çdo kohë”, përfundon reagimi i kompanisë. /Kosova.info/
