“Isha në ferrin e gjallë”: Rrëfimi tronditës i Berat Hasanit, të mbijetuarit të masakrës në Vushtrri

Në 25-vjetorin e masakrës së Vushtrrisë, një prej të mbijetuarve të saj, Berat Hasani, ka ndarë një rrëfim prekës për përjetimet e tij në sallën e sportit të qytetit – një vend që për të mbetet simbol i ferrit dhe i tmerrit të pashoq.

“Sot nuk gjeta forcë të jem në këtë vend, sepse më duket sikur po i shoh të gjitha ato fytyra të trishtuara njerëzish, sikur i dëgjoj ata zëra trishtues të atyre që torturoheshin në mënyrën më çnjerëzore të mundshme,” shkruan Hasani duke rikujtuar datën 22 maj 1999, kur shumë shqiptarë u mbyllën e u torturuan nga forcat serbe në sallën e sportit të Vushtrrisë, përfshirë dhe vrasjen e të riut 17 vjeç, Haki Kadriu – një nga krimet më të rënda gjatë luftës në Kosovë.

“Bishat barbare po mendonin se po më shkaktonin dhimbje, por jo asnjëhere, këto ishin dhimbje që vetëm më kaliten edhe më fort”.

Ai rrëfen se plagët që ka marrë atë ditë i mban ende, por me krenari: “Më shkaktuan plagë që dhe sot i mbaj, por i mbaj me krenari sepse më kujtojnë se ende jam gjallë, jam i fortë, jam krenar, i pathyer dhe pranë familjes e fëmijëve të mi.”

Berat Hasani përfaqëson zërin e gjallë të të mbijetuarve, që edhe pas dy dekadash e gjysmë bartin plagët fizike e shpirtërore të terrorit të përjetuar. Masakra e Vushtrrisë mbetet një nga rastet e shumta për të cilat ende pritet drejtësi. /Kosova.info/

Go to TOP