Kurti: Limaj këmbënguli për kryeparlamentarin, prandaj s’pati marrëveshje
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se arsyeja kryesore pse nuk u arrit një marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Socialdemokrate ishte këmbëngulja e kryetarit të saj, Fatmir Limaj, për të marrë pozitën e kryeparlamentarit.
Sipas Kurtit, një kërkesë e tillë do të dëmtonte arkitekturën e koalicionit ekzistues të VV-së me partitë Guxo dhe Alternativa.
“Unë kam pasur takime me kryetarin Limaj, takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, mirëbesimi, vullneti për të bashkëpunuar, mirëpo nuk ka pasur marrëveshje, thjesht për shkak të insistimit si shkak i një parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit. Unë jam në koalicion me partinë Guxo e Alternativa. Guxo i ka 6 deputetë e një partie me 3 deputetë t’ia japim kryeparlamentarin kur e ka koalicionin me një parti qe e ka dyfishin për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton arkitekturën paraprake”, ka deklaruar Kurti.
Ai gjithashtu ka theksuar se hyrja e Nismës në koalicion parazgjedhor me AAK-në i ka mundësuar kësaj të fundit që të kalojë pragun zgjedhor.
“Lajm është se Fatmir Limaj, komandant Çeliku, siç njihej gjatë luftës është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrati që do të duhej të jetë parti simotër me LVV-në i ka tre deputetë në Kuvendi e Republikës. Por, le mos ta harrojmë edhe një gjë tjetër, por njëkohësisht i mundësoi AAK-së të kalojë pragun. Pa Nismën, AAK-ja kësaj radhe do të mbetej nën prag”, tha Kurti.
