Nikçi Rexha akuzon VV-në për ndërhyrje të paligjshme: E kanë shndërruar shtetin në aparat policor
Elmire Nikçi Rexha, asambliste e LDK-së në Komunën e Prishtinës, ka reaguar ashpër ndaj një ndërhyrjeje të inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit në rrugën “Qamil Hoxha”, ku sipas saj, punimet janë bllokuar pa asnjë dokument zyrtar apo bazë ligjore. Ajo e cilësoi këtë veprim si një vendim partiak të pastër, të zbatuar nga inspektorë të ndikuar politikisht dhe të shoqëruar nga Policia e Kosovës.
“As nuk kishte vendim, as ligj. Ishte vetëm një urdhër politik që u zbatua si urdhër partie, jo si akt institucional,” tha Nikçi Rexha.
Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka dështuar në ndërtimin e një shteti ligjor dhe se po e përdor pushtetin për ndëshkime selektive ndaj kundërshtarëve politikë. Sipas saj, qeverisja aktuale ka kthyer shtetin në një aparat represiv, ku ligji vlen vetëm për të tjerët, ndërsa vendimet merren sipas interesave partiake.
“Ky është pushteti që shkatërron jo vetëm Prishtinën, por vetë thelbin e Republikës,” u shpreh ajo, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mos heshtin përballë këtyre zhvillimeve. “Sepse nesër, secili prej nesh mund të jetë ai që do t’i ndalet jeta, puna apo dinjiteti – vetëm pse një parti vendos se ‘mundet’.”
LDK ka paralajmëruar se do të kërkojë sqarime zyrtare lidhur me këtë veprim dhe do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për të kundërshtuar, sipas tyre, abuzimin me pushtetin. /Kosova.info/
