Policia asiston ‘Ibër Lepencin’ në marrjen e objektit në Zubin Potok
Policia e Kosovës i ka ofruar asistencë ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër- Lepenc” për të hyrë në një objekt pranë liqenit të Ujmanit në Zubin Potok, që dyshohet se përdorej si institucion paralel i Serbisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai ka thënë se operacioni që është zhvilluar të martën, ka ndodhur pa incidente.
“Po i kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, ka thënë Elshani.
Policia e Kosovës disa ditë më parë ka asistuar edhe në një rast tjeter në veri.
Kompania paralele e Ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut ishte mbyllur më 13.05.2025.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizavanolli,kishte theksuar se kjo kompani ishte mbyllur me kërkesë të Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë.
