Pacolli kritikon mazhorancën: Po e trajton Kosovën si viktimë, Kuvendi është kthyer në lojë të turpshme politike
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj mazhorancës për dështimin e njëpasnjëshëm në konstituivin e Kuvendit duke e cilësuar situatën si krizë serioze kushtetuese dhe institucionale. Në një deklaratë publike, ai u shpreh se është për të ardhur keq dhe për t’u turpëruar fakti që mazhoranca nuk po e kupton rolin e saj qeverisës duke theksuar se qytetarët i kanë dhënë asaj mandatin për të zgjidhur problemet, jo për të krijuar të reja.
Pacolli kritikoi ashpër mënyrën si po trajtohet procesi i zgjedhjes së kryetares së Kuvendit duke thënë se mazhoranca po e shndërron këtë proces në një lojë të brendshme force, ndërsa kandidatja e propozuar është refuzuar tashmë tetëmbëdhjetë herë. “Kur dikush refuzohet kaq herë, është e qartë se nuk gëzon as mbështetje politike, as legjitimitet moral,” tha ai duke shtuar se kjo ngërç politike nuk mund të justifikohet me alibi apo fajësime ndaj opozitës.
Sipas Pacollit, refuzimi i vazhdueshëm i kandidaturës tregon mungesë reflektimi dhe vetëdijeje politike duke e kthyer institucionin më të lartë ligjvënës në peng të një individi dhe një qasjeje të pakuptimtë. “Kosova nuk është lojë ‘guxhash’, dhe qytetarët nuk presin spektakël politik, por funksionim institucional,” theksoi ai.
Në fund, Pacolli paralajmëroi se në mungesë të një lidershipi të përgjegjshëm, pasojat për vendin do të jenë edhe më të rënda. Ai e krahasoi situatën me një viktimë që trajtohet nga hijenat duke nënvizuar se sjellja aktuale e partisë në pushtet po e dëmton rëndë interesin publik dhe imazhin demokratik të Kosovës. /Kosova.info/
