AKB dhe sindikata paralajmërojnë: Tregu i Hapur Energjetik rrezikon vendet e reja të punës në sektorin privat

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka pritur sot në zyrat e AKB-së kryetarin e Sindikatës së Sektorit Privat, Isuf Azemi, në një takim të përbashkët ku u diskutua gjendja aktuale e punëtorëve në sektorin privat dhe ndikimi i krizës institucionale në ekonominë e Kosovës.

Të dy palët vlerësuan se ndonëse ka pasur përmirësime në trajtimin e punëtorëve në sektorin privat, sfidat vazhdojnë të jenë të shumta dhe të ndërlikuara. Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura në takim ishte rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe procesi i liberalizimit të tregut energjetik, për të cilin përfaqësuesit e AKB-së dhe Sindikatës u shprehën se mund të ketë pasoja të rënda për bizneset e mesme dhe të mëdha në vend.

Sipas tyre, kriteret e reja të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), të cilat prekin kompanitë me mbi 50 të punësuar dhe një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë të papranueshme dhe rrezikojnë të frenojnë hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe të ndikojnë negativisht në stabilitetin financiar të shumë ndërmarrjeve private.

Në përfundim të takimit, AKB dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat u zotuan për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në funksion të përmirësimit të kushteve të punës, fuqizimit të sektorit privat dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP