“Chopin Piano Fest” sjell emra botërorë në Prishtinë
Rrugëtimi i edicionit të 15-të të Festivalit ndërkombëtar “Chopin Piano Fest Prishtina” ka nisur më 8 maj dhe do të zgjasë deri më 9 qershor. Për një muaj me radhë, ky festival po ofron për publikun kosovar një përvojë unike muzikore, duke sjellë në Prishtinë pianistë të njohur nga skenat botërore.
Në një intervistë për RTK, Besa Luzha, drejtoreshë menaxhuese e festivalit, foli rreth rrjedhës së deritanishme dhe rëndësisë së këtij organizimi për publikun dhe skenën muzikore në Kosovë.
“Një nga arsyet pse Chopin Piano Fest zgjat një muaj është edhe ajo se kemi të ftuar artistë të rrallë, që rrallë vijnë në Prishtinë, janë artistë të skenave botërore dhe audienca jonë nuk e ka edhe aq të lehtë që t’i dëgjojë live. Normalisht, t’i mund t’i dëgjosh në YouTube, por live ka një tjetër ndjesi, krejt tjetër emocion – kjo është e bukura e koncertit. Normalisht, në vende të tjera këto koncerte kanë kosto të lartë, e ne i sjellim këta artistë me rang botëror dhe audienca jonë i shijon gratis”, tha Luzha.
Ajo theksoi se festivali tashmë ka krijuar emër dhe kjo ka ndikuar që të jetë më e lehtë për organizatorët që të sjellin artistët më të njohur të skenës botërore.
“Festivali tashmë ka bërë emër dhe falë kësaj po e kemi më të lehtë t’i sjellim artistët e mëdhenj këtu. Edhe profesoresha Lejla Pula, që është drejtoreshë artistike dhe pianiste me përvojë mbi dyzetvjeçare, e njeh shumë mirë skenën botërore pianistike. Ajo i zgjedh artistët e tillë, të cilët janë të njohur për muzikalitetin, për talentin. Për shembull, kemi të tillë që janë më të kërkuarit në skenën pianistike për koncerte dhe kemi pritur me vite që t’u vijë radha me pranu kompania menaxheriale me leju me ardhë me performu në Prishtinë”, u shpreh Luzha.
Gjatë këtij edicioni, është bërë e ditur se në skenën e festivalit do të performojnë mbi 25 artistë nga vende të ndryshme, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Francën, Austrinë, Lituaninë, Rumaninë, Italinë, SHBA-në dhe Kubën.
Festivali do të mbyllet më 9 qershor 2025 me performancën e pianistit të shquar britanik, Peter Donohoe, një emër i njohur në botën e muzikës klasike, që pritet të sjellë një fund magjepsës të këtij edicioni festiv.
