Ekspozita `Art nga Burgu` sjell zërin dhe shpresën e grave të burgosura
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është mbajtur ekspozita e dytë “Art nga Burgu”, një iniciativë që synon të fuqizojë gratë e burgosura përmes artit dhe t’u ofrojë atyre mundësi për vetëpërmirësim dhe mbështetje financiare pas lirimit.
Kjo ekspozitë përfaqëson një hap konkret drejt riintegrimit social dhe uljes së recidivizmit, duke përdorur terapinë e artit si mjet rehabilitimi dhe fuqizimi personal.
Projekti “Art nga Burgu” zbatohet nga organizata joqeveritare Monumenta në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në kuadër të kësaj ekspozite u prezantuan mbi 30 vepra artistike të krijuara nga gratë e burgosura, të cilat janë ekspozuar për t’u shitur dhe për të ndihmuar financiarisht autoret e tyre.
Drejtoresha e organizatës Monumenta, Doruntina Ukimeri, ka theksuar rolin transformues të artit në jetët e grave të privuara nga liria:
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një paraqitje e bukurisë vizuale dhe krijimtarisë artistike, por është dëshmi e fuqisë së artit për të rehabilituar, fuqizuar dhe transformuar jetë. Qëllimi i projektit është të ofrojë mbështetje për gratë e dënuara në procesin e riintegrimit dhe rehabilitimit, duke përdorur artin si një mjet për vetë-shprehje, zhvillim personal dhe fuqizim ekonomik.
Veprat që do të keni rastin të shihni sot janë realizuar nga gratë e burgosura në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, përmes një procesi të thellë krijimi dhe reflektimi. Ato përfaqësojnë ndjenja, histori dhe shpresë. Veprat janë gjithashtu në shitje dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e tyre shkojnë drejtpërdrejt në llogaritë bankare të artisteve – një hap domethënës drejt pavarësisë së tyre financiare dhe përgatitjes për jetën jashtë mureve të burgut,” ka thënë Ukimeri.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj u shpreh:
“Sot jemi mbledhur për një ngjarje të veçantë që tejkalon kufijtë e zakonshëm të artit si estetikë. Ekspozita ‘Art nga Burgu’ nuk është vetëm një hapësirë e ekspozimit të veprave artistike – ajo është një platformë e fuqizimit, rehabilitimit dhe reflektimit për gratë në institucionet korrektuese të Kosovës. Çdo vepër që shohim sot është një rrëfim i guximit, i dhimbjes, i pendesës dhe i shpresës për një fillim të ri. Përmes artit, këto gra kanë gjetur një mënyrë për të komunikuar me botën, për të ngritur zërin e tyre, që ka shërbyer si mjet shërimi, ndërtimi dhe rilindjeje.”
Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin transformues të këtij projekti:
“‘Art nga Burgu’ është një iniciativë që ka marrë jetë me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në muajin shkurt të këtij viti. Ajo synon t’u ofrojë grave të burgosura mundësinë për të krijuar vepra artistike dhe për të marrë pjesë në procesin e vetëpërmirësimit, me qëllim të lehtësimit të riintegrimit të tyre në shoqëri pas lirimit,” ka thënë Dibrani.
Ekspozita është dëshmi e fuqisë së artit për të shërbyer si urë mes izolimit dhe shoqërisë, dhe si një formë konkrete e përkrahjes për ata që përpiqen për një të ardhme më të mirë. /Kosova.info/
