Osmani diskuton me Kryeministrin e Maltës për forcimin e partneritetit dhe avancimin e aplikimit në Këshillin e Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Maltës, Robert Abela, ku është diskutuar forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe bashkëpunimi i mëtejshëm bilateral.

Në një postim në rrjetet sociale, presidentja Osmani theksoi se diskutimi ishte i përqendruar në partneritetin mes Kosovës dhe Maltës, sfidat e përbashkëta, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Diskutim i shkëlqyeshëm me Kryeministrin e Maltës, Robert Abela, mbi forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe Maltës, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh,” shkroi Osmani.

Ajo gjithashtu potencoi rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës gjatë kohës kur Malta mban Presidencën e Këshillit. Sipas saj, një hap i tillë do të përforconte më tej vlerat evropiane dhe unitetin e kontinentit. /Kosova.info/


Go to TOP