Begaj takon Costan: Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, zgjedhje historike
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar të enjten një takim me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian në Shqipëri.
Sipas një njoftimi për media, presidenti Begaj është shprehur se Shqipëria është thellësisht mirënjohëse ndaj Këshillit Evropian për mbështetjen në vijueshmëri të politikave të zgjerimit të BE-së.
“Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së vjen natyrshëm nga zgjedhja jonë historike. Për më shumë se tri dekadash, populli shqiptar mbështet në mënyrë të palëkundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e parë këtë si konsolidim të demokracisë, zhvillim ekonomik të mëtejshëm dhe stabilitet rajonal”, njofton presidenca.
Sipas Begajt, Shqipëria është e dedikuar në mbështetje dhe respektim të të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë këtu të drejtat e minoriteteve, demokracisë dhe sundimin e ligjit.
“Ne besojmë fort se Bashkimi Evropian mbetet mjeti më efektiv gjeopolitik për të adresuar sfidat e sigurisë, pasiguritë dhe sfidat ndaj paqes dhe stabilitetit. Shqipëria do të vijojë të luajë rolin e saj si lehtësuese e dialogut dhe urë lidhëse midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës, duke qenë shtyllë mbështetëse për përballimin e sfidave gjeopolitike.”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/
