Muharremi: LDK po “ri-brendon” propozimin për dalje nga kriza – nga “qeveri tranzicionare” në “qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare”

Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe mënyrën se si Lidhja Demokratike e Kosovës po e paraqet propozimin e saj për zgjidhjen e krizës. Sipas tij, LDK ka zgjedhur ta “ri-brendojë” terminologjinë duke e larguar nga nocioni “qeveri tranzicionare” – që sipas tij është keqkuptuar apo nuk është kuptuar drejt – dhe tani po e quan “qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare”. Në konferencën për media të mbajtur së fundmi, ky model u quajt edhe “Qeveri e Unitetit”.

Muharremi vlerëson se LDK po e luan mirë lojën politike: është bashkëpunuese, angazhohet në dialog dhe ka pozicionuar veten si forcë e arsyes. Ai thekson se interes i LDK-së është që të mos ketë zgjedhje të përgjithshme deri në mars të vitit të ardhshëm, për të lejuar që trendi i saj rritës të konsolidohet, ndërsa korrigjimi i mbështetjes për Vetëvendosjen pritet të shpërndahet mes LDK-së dhe PDK-së.

Sipas analistit, LDK nuk ka çfarë të humbasë në këtë lojë – përveç ndonjë dyshimi eventual për qëndrimet e saj. Edhe nëse nuk arrihet zgjidhje deri në mars dhe përparësi u jepet zgjedhjeve lokale, kjo ka logjikë. Por paralajmëron se nëse institucionet mbeten të bllokuara, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të jenë të pashmangshme.

Në fund, Muharremi nënvizon se gjithçka varet nga arritja ose jo e një formule për zgjidhje: nëse ajo gjendet, procesi mund të shtyhet deri në pranverën e 2026-ës – në të kundërtën, qytetarët duhet të vendosin përmes kutive të votimit. /Kosova.info/


Go to TOP