Rukiqi: Deputetët dhe ish-ministrat e VV-së po i dëmtojnë qëllimisht bizneset, kërkojnë rritje katastrofale të çmimit të rrymës

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka akuzuar deputetët dhe ish-ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje se po ushqejnë një qasje armiqësore ndaj sektorit privat, përfshirë kompanitë më të mëdha prodhuese në vend. Sipas tij, këta përfaqësues të partisë në pushtet i reduktojnë këto biznese, që kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e shtetit dhe në punësim, në thjesht “grup interesi” duke i paraqitur si të dëmshëm për vendin.

Rukiqi gjithashtu ka ngritur shqetësimin për presionet që, sipas tij, po ushtrohen në mënyrë të paligjshme ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), me qëllim që të mos ndryshohet vendimi për mbajtjen e bizneseve në tregun e derregulluar të energjisë elektrike. Ai thekson se janë kërkuar skenarë të rrezikshëm, ku në rast të mungesës së furnizimit nga operatorët tregtarë, si KESCO, kompanitë të mbulohen nga KOSTT ose KEK me çmime që do të rriteshin mbi 250-300%.

Në të njëjtën kohë, ai thotë se qeveria ka refuzuar ndarjen e 50 milionë eurove për subvencionim tarifor për sektorin privat, që do të ndihmonte në shmangien e një rritjeje drastike të çmimit të rrymës për bizneset.

Rukiqi paralajmëron për pasoja të rënda në rast se kjo situatë nuk ndryshon:

1. Rritje e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, deri në nivel të papërballueshëm për qytetarët;

2. Shkarkime të punëtorëve dhe humbje të vendeve të punës dhe

3. Falimentime të bizneseve, me ndikim direkt në rënien e ekonomisë.

“Është koha që kjo kastë e dëmshme, amatoreske dhe anti-ekonomike të ndalojë së shkatërruari çdo gjë që funksionon në këtë vend,” ka përfunduar Rukiqi. /Kosova.info/

Go to TOP