Shahini: Bizneset dhe qytetarët duan shtetin, jo lojërat politike të liderëve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar ndaj krizës së vazhdueshme institucionale në Kosovë duke theksuar se qytetarët dhe bizneset janë të lodhur nga lojërat politike dhe mungesa e përgjegjësisë së liderëve shtetërorë.

“Në Kosovë, qytetarët dhe bizneset gjithmonë kanë respektuar institucionet sepse ato janë simbol i shtetësisë dhe sakrificës për liri dhe pavarësi. Por sot, ky respekt po përballet me zhgënjim të thellë – jo ndaj institucioneve, por ndaj atyre që duhet t’i udhëheqin ato,” u shpreh Shahini.

Ai theksoi se pas 15 tentimeve të pasuksesshme për konstituivin e institucioneve shtetërore, vendi nuk përballet më thjesht me një krizë politike, por me një krizë të thellë besimi.

“Populli nuk është kundër shtetit – përkundrazi, ai e respekton shtetin – por është lodhur nga premtimet boshe, pazaret politike dhe mungesa e vizionit të klasës politike,” tha ai.

Sipas Shahinit, qytetarët dhe komuniteti i biznesit kërkojnë veprime konkrete dhe udhëheqës që vendosin interesin e qytetarit mbi gjithçka.

“Respekti për shtetin është ende i gjallë, por durimi me politikanët po soset. Kosova nuk mund të ecë përpara pa institucione të qëndrueshme dhe pa përfaqësues që veprojnë me përgjegjësi dhe vizion,” përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP