Muharremi: Rritja e eksportit po festohet, ndërsa importet, energjia dhe inflacioni po fshihen nën jorgan

Analisti ekonomik Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Kryeministri në detyrë po e paraqet situatën ekonomike në vend duke theksuar se qeveria po feston rritjen e eksporteve, ndërsa po shmang qëllimisht temat më të ndjeshme si importet, energjia dhe inflacioni.

“Nuk është vetëm importi. Janë edhe energjia dhe inflacioni gjithashtu. Këto janë fusha më sensitive të ekonomisë sonë që po shmangen,” shkruan Muharremi duke i referuar fjalimit të djeshëm të Kryeministrit në Këshillin e partisë, ku u përmend vetëm suksesi i eksporteve.

Sipas tij, eksporti është rritur me 466 milionë euro gjatë mandatit, por importet janë rritur mbi 3 miliardë euro duke krijuar një hendek të thellë tregtar. “Importi në mallra është rritë 551% më shumë se eksporti gjatë mandatit të fundit qeveritar. Deficiti tregtar është thelluar si kurrë më parë – në mbi 5.4 miliardë euro,” ka shkruar Muharremi duke publikuar edhe një tabelë me të dhëna zyrtare nga ASK.

Ai shprehet se mungesa e përmendjes së importit, energjisë dhe inflacionit nuk është e rastësishme. “Këto nuk tingëllojnë bukur në fjalim. I prishin narrativat e zhvillimit ekonomik,” thotë ai duke shtuar se prodhuesit vendorë po dëmtohen gjithnjë e më shumë nga konkurrenca e mallrave të importuara dhe kostot e larta të energjisë.

Në fund, Muharremi paralajmëron se duke i fshehur problemet ekonomike nuk arrihet zgjidhja e tyre, por ato vetëm sa rriten e thellohen. /Kosova.info/

Go to TOP