AGK dhe organizatat evropiane dënojnë sulmet e VV-së ndaj përfaqësuesit të Reporterëve pa Kufij
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe organizatave të tjera evropiane për mbrojtjen e gazetarëve në dënimin e fushatës së nisur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kundër Pavol Szalai, udhëheqës i Deskut për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor në organizatën Reporterët pa Kufij (RSF).
Në reagimin e përbashkët, thuhet se sulmet, përfshirë pretendime të rreme për origjinën kombëtare të Szalai nga deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, kontribuojnë në një ambient të rrezikshëm për gazetarët dhe aktivistët në Kosovë.
“Sulmet ndaj anëtarëve të organizatave ndërkombëtare duke përfshirë pretendime të rrejshme për origjinën kombëtare të Szalai, nga deputeti i zgjedhur i VV-së, Dimal Basha, nuk ndihmojnë, por vetëm e rikonfirmojnë ambientin e rrezikshëm me të cilin ballafaqohen gazetarët dhe aktivistët në Kosovë”, thuhet në deklaratën e ECPMF-së.
AGK, në përputhje me këtë reagim, ka ritheksuar nevojën për mbrojtjen e integritetit të gazetarëve dhe për një diskurs politik që nuk nxit sulme ndaj përfaqësuesve të mediave dhe organizatave ndërkombëtare. /Kosova.info/
