Abdixhiku i përgjigjet akuzave: LDK nuk është parti shoviniste – minoritetet po instrumentalizohen politikisht
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar me keqardhje ndaj deklarimeve të fundit nga tre përfaqësues të komuniteteve joshumicë, të cilët akuzuan LDK-në se po i përjashton nga propozimi për Qeverinë Nacionale të Tranzicionit. Në një reagim publik, Abdixhiku ka theksuar se deklaratat e tyre përbëjnë një instrumentalizim të papranueshëm politik, që dëmton rëndë përfaqësimin e pakicave dhe raportet e tyre me partitë shqiptare.
“Fatkeqësisht, për herë të parë në historinë e Kosovës, një parti shqiptare, si LDK-ja, u quajt parti shoviniste – një gjuhë që përfaqëson kopjimin e polarizimit dhe urrejtjes që vjen nga logjika e ndarjes, e jo e bashkëpunimit,” tha Abdixhiku.
Ai sqaroi se propozimi i LDK-së për një qeveri tranzitore nuk përjashton komunitetet joshumicë, përkundrazi, në dokumentin e plotë thuhet qartë se në përputhje me Kushtetutën, përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë do të jenë pjesë e qeverisë. Megjithatë, Abdixhiku kritikoi përfaqësuesit që, siç u shpreh ai, “mbajnë anë partiake dhe rreshtohen me fjalor sulmues kundër vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare, e përfaqësuar me 52 deputetë.”
“Bashkëpunimi politik ndërshqiptar nuk është krim,” theksoi Abdixhiku duke rikujtuar se LDK që nga themelimi i saj më 1989 ka pasur për mision bashkimin politik të faktorit shqiptar, si bazë e stabilitetit shtetëror dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve.
Ai u bëri thirrje qytetarëve nga komunitetet joshumicë që të lexojnë vetë propozimin e LDK-së, i cili sipas tij është keqinterpretuar qëllimisht nga disa përfaqësues të tyre.
Në fund të reagimit, Abdixhiku ritheksoi se një qasje përçarëse si kjo dëmton jo vetëm demokracinë parlamentare, por edhe vetë komunitetet joshumicë që meritojnë përfaqësim të dinjitetshëm, të barabartë dhe të depolitizuar. /Kosova.info/
