Krasniqi takon Ahmetin: Forcimi i bashkëpunimit ndërshqiptar dhe mbështetja për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, të cilin e cilësoi si një nga figurat më të rëndësishme politike të shqiptarëve në rajon.
“Si gjithmonë, kënaqësi të pres edhe sot në takim liderin e BDI-së dhe një nga figurat më të rëndësishme politike të shqiptarëve në rajon, Ali Ahmetin. Diskutim vëllazëror e tejet i frytshëm,” shkroi Krasniqi.
Sipas tij, gjatë takimit u diskutua për sfidat dhe përpjekjet e vazhdueshme për të avancuar të drejtat dhe pozicionin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Krasniqi theksoi se PDK mbetet e përkushtuar për të forcuar lidhjet ndërshqiptare dhe për të mbështetur fuqizimin politik dhe institucional të shqiptarëve kudo që janë.
Ai shtoi se kjo mbështetje nuk bëhet vetëm në funksion të interesit kombëtar, por edhe si një kontribut ndaj stabilitetit dhe proceseve të integrimit euroatlantik në rajon. /Kosova.info/
