Krasniqi: Refuzimi i kryeparlamentarit po i sjell ditë më të mira LVV-së – zgjedhjet e parakohshme gjithnjë e më afër
Gazetari Besnik Krasniqi ka ngritur alarmin për pasojat politike që po sjell refuzimi i partive opozitare për të votuar kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit. Në një analizë të publikuar sot, ai paralajmëron se kjo situatë po krijon një ngërç që i shkon për shtat pikërisht Vetëvendosjes, ndërsa vendin mund ta çojë në zgjedhje të parakohshme.
“A janë të vetëdijshme PDK, LDK e AAK se duke mos e votu të propozuarin për kryeparlamentar, po punojnë për ditë më të mira për LVV-në?” pyet Krasniqi duke shtuar se aktualisht gjithçka po ecën drejt zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, nëse Kuvendi arrin të konstituohet brenda një ose dy javësh – për shembull në rast se LVV-ja propozon një emër të ri për kryetar të Kuvendit – atëherë afatet kushtetuese për formimin e qeverisë do të nisin të ecin. Në rast të dështimit për të formuar qeverinë në dy tentativa, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpërndarja e Kuvendit.
Krasniqi thekson se, në këtë skenar, zgjedhjet do të mbahen në fund të korrikut ose në fillim të gushtit – pikërisht kur mërgata shqiptare është në pushime në Kosovë. “Kuptohet, para shtatorit,” thekson ai duke nënkuptuar një avantazh të mundshëm për LVV-në për shkak të mobilizimit më të madh të diasporës.
Ai paralajmëron gjithashtu se e vetmja mënyrë për t’i shmangur zgjedhjet është krijimi i një koalicioni mes partive opozitare pa përfshirjen e Vetëvendosjes. Por një opsion i tillë do të varej nga Lista Serbe, gjë që do të shkaktonte pasoja të rënda politike për partitë shqiptare në koalicion – posaçërisht në zgjedhjet pasuese që mund të zhvilloheshin në fillim të vitit të ardhshëm në rast të një tjetër ngërçi institucional për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Zgjedhje, por kur?” pyet në fund Krasniqi duke lënë të hapur një horizont të trazuar politik që mund të sjellë zhvillime të mëdha në muajt e ardhshëm. /Kosova.info/
