Kelmendi godet Kurtin pas rangimit të ulët për lirinë e medias: Nëse mbyllet një media s’është problem, pse jo edhe Vetëvendosja?
Gazetari dhe opinionisti Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër pas publikimit të raportit të fundit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të për lirinë e medias, madje edhe pas Serbisë.
Në një postim kritik në rrjete sociale, Kelmendi kujtoi kohën kur kryeministri Albin Kurti justifikonte idenë për mbylljen e një mediumi të madh duke thënë se “Kosova ka edhe nja 444 të tjera dhe një më shumë a më pak nuk luan rol”. Ai ironizoi duke thënë se meqenëse rezultatet e qeverisjes po janë kaq të këqija, ndoshta Kurti duhet të mendojë të mbyllë edhe Vetëvendosjen – si një parti ndër 44 të tjera.
“Me rezultatet negative që po i korrë Kosova çdo ditë – e fundit – sot rangimi katastrofal i lirisë së medias në vendin e 99, nuk e di pse s’po thotë Albini po e mbylli Vetëvendosjen që ta shmangim vetëfundosjen,” shkroi Kelmendi.
Ai shtoi se lajmi për rënien e Kosovës në fund të pusit në indeksin e lirisë së medias, edhe pas Serbisë së Vuçiqit, është “tepër tepër i keq” duke theksuar se “pa media të lira nuk ka shoqëri të lirë”.
Kelmendi kujtoi gjithashtu se Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet nga një kryeministër i “eks-komunikuar nga pjesa më e madhe e botës demokratike” duke e përmbyllur se “Kosova i ka punët keq, tepër keq.” /Kosova.info/
