Kuçi: Serbia po përpiqet të relativizojë terrorizmin – Krstic dhe BIA po manipulojnë opinionin publik
Zyrtari dhe analisti Gurakuqi Kuçi ka reaguar ashpër ndaj dy deklaratave të fundit që, sipas tij, përfaqësojnë një përpjekje të koordinuar për të relativizuar dy sulme terroriste të Serbisë ndaj Kosovës: shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc dhe atentatin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) serbe publikoi së fundmi një deklaratë ku akuzonte Policinë e Kosovës për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc më 29 nëntor 2024. Ndërkohë, gazetari serb Branislav Krstic deklaroi se vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte “dëm kolateral” dhe e cilësoi sulmin në Banjskë si një “shfaqje”.
Sipas Kuçit, këto deklarata të afërta në kohë dhe përmbajtje tregojnë për një linjë të njëjtë propagandistike që tenton të devijojë vëmendjen nga karakteri real i sulmeve terroriste. Ai thekson se përdorimi i termave si “dëm kolateral” për një vrasje të qëllimshme të një zyrtari policor në një sulm të organizuar është jo vetëm një keqpërdorim semantik, por edhe një përpjekje për të zbutur përgjegjësinë penale dhe politike të Serbisë.
“Vrasja e Afrim Bunjakut nuk mund të konsiderohet kurrsesi ‘dëm kolateral’. Ai u vra gjatë një prite të planifikuar nga një grup i armatosur serb që synonte destabilizimin e veriut dhe sfidimin e sovranitetit të Kosovës,” deklaroi Kuçi.
Ai theksoi se edhe dëmet materiale të shkaktuara nuk mund të klasifikohen si kolaterale, pasi objekti i sulmit ishte institucioni i Policisë së Kosovës – një shënjestër e drejtpërdrejtë e këtij akti terrorist. Kuçi paralajmëroi se deklaratat e tilla, sidomos kur vijnë nga figura me qasje në media dhe institucione, janë të rrezikshme dhe përfaqësojnë një përpjekje për të formësuar perceptimin publik në përputhje me interesat strategjike të Beogradit.
“NATO tashmë ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia për sulmin në Banjskë, ndërsa Kosova ka ndërmarrë hapa për ndjekje penale në mungesë për krimet e rënda. Këto zhvillime kanë detyruar Serbinë të përfshihet në një fushatë të re relativizimi,” shtoi ai.
Në përmbyllje, Kuçi theksoi se “pavarësisht manipulimeve dhe propagandës, e vërteta është e qartë: Serbia ka organizuar dhe strehon terroristë – dhe këtë askush nuk mund ta ndryshojë.” /Kosova.info/
