KMDLNj akuzon ZRrE-në dhe Qeverinë për diskriminim etnik në faturimin e energjisë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj rritjes së fundit të çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) duke e cilësuar këtë veprim si të pajustifikueshëm dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.
Sipas komunikatës së KMDLNJ-së, rritja prej 16.1% ka shkaktuar përkeqësim të gjendjes ekonomike të qytetarëve, përderisa protestat qytetare janë injoruar nga ZRrE dhe qeveria. Këshilli thekson se për vite me radhë qytetarët shqiptarë dhe joserbë kanë paguar faturat e rrymës edhe për komunitetin serb në veri, që nga paslufta nuk ka kryer asnjë pagesë për energji, ujë, mbeturina apo tatim në pronë.
“Elektrosever”, kompania që menaxhon furnizimin me energji në veri të vendit, nuk pranon të zbatojë rritjen e çmimit të rrymës dhe nuk ndërpret furnizimin për konsumatorët që nuk paguajnë. KMDLNJ e cilëson këtë si diskriminim të hapur në baza etnike dhe një shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës dhe të të drejtave të njeriut.
KMDLNJ kërkon nga Prokuroria Speciale që të nisë hetime për këtë diskriminim dhe të propozojë pezullimin e vendimit të ZRrE-së. Po ashtu, kërkohet që “Elektrosever”-it t’i hiqet leja e punës, pasi vepron në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe me standardet e trajtimit të barabartë të qytetarëve.
Në fund, KMDLNJ thekson se trajtimi i padrejtë i qytetarëve në baza etnike do të kishte pasoja të mëdha për Kosovën nëse ajo do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës dhe konsideron se kjo qasje minon aspiratat për integrim evropian dhe sundim të ligjit. /Kosova.info/
