AUV ndërhyn me masa parandaluese kundër EHKK-së: Pa humbje jete në komunat endemike që nga fillimi i projektit
Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK) është një sëmundje zoonotike serioze që bartet nga kafshët te njerëzit, përmes rriqrave si bartës të virusit, dhe në raste të rënda, mund të rezultojë edhe me humbje jete. Për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje në zonat me rrezik të lartë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zbatuar një projekt të posaçëm ndërqeveritar.
Ky projekt është përqendruar në komunat endemike si Malisheva, Rahoveci dhe disa fshatra të Klinës e Suharekës, ku është realizuar aktiviteti i repelimit të kafshëve në fermat blegtorale. Për këtë qëllim, është përdorur preparati veterinar “Deltanil Pour-On” nga prodhuesi francez Virbac, i regjistruar në Regjistrin e Produkteve Medicinale Veterinare.
Substanca aktive e këtij preparati, Deltamethrin, ka efekt të fuqishëm insekticid dhe akaricid duke ndikuar në eliminimin e parazitëve të jashtëm si rriqrat, mizat dhe morrat. Preparati është aplikuar te gjedhët, delet, dhitë dhe, në disa raste, edhe te kuajt duke ofruar efikasitet të lartë dhe siguri të plotë në përputhje me standardet ndërkombëtare të karencës.
Që nga viti 2013, AUV ka përdorur të njëjtën substancë aktive për repelimin e kafshëve duke siguruar vazhdimësi dhe qëndrueshmëri në masat parandaluese kundër EHKK-së. Falë këtyre ndërhyrjeve të mirëorganizuara, deri më tani nuk është shënuar asnjë humbje jete nga kjo sëmundje në komunat e përfshira duke e mbajtur situatën nën kontroll. /Kosova.info/
