Rritja e çmimeve nën monitorim: Autoriteti i Konkurrencës heton tregun e bukës, kafesë dhe produkteve bazike
Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës ka nisur një fushatë të zgjeruar monitorimi të tregut, pas shqetësimeve të qytetarëve dhe raportimeve në media lidhur me paralajmërimet për rritje të çmimeve të bukës, kafesë dhe produkteve të shportës bazike.
Në njoftimin zyrtar, Autoriteti thekson se, edhe pse nuk ka mandat për të vendosur ose ulur çmime, ka përgjegjësi të ndërhyjë në rastet kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar apo artificiale, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Aktualisht, Autoriteti po zhvillon një analizë të thelluar për mbi 20 produkte bazë në tregun e Kosovës, për të identifikuar arsyet reale të rritjeve të çmimeve. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet sektorit të bukës dhe gastronomisë, ku çmimi i kafesë ka shënuar rritje të konsiderueshme.
“Inspektorët tanë janë në terren në qytete të ndryshme duke mbledhur të dhëna direkt nga operatorët e tregut,” thuhet në komunikatë. Nëse identifikohen shkelje të ligjit për konkurrencën, Autoriteti paralajmëron veprime të menjëhershme ligjore.
Në raste kur konstatohet rrezik për dëmtim të pariparueshëm të konkurrencës në treg, Autoriteti mund të ndërmarrë masa të përkohshme deri në gjashtë muaj, të cilat mund të zgjaten sipas nevojës, për të ndalur sjelljet e dëmshme dhe rikthyer ekuilibrin e tregut.
Autoriteti i Konkurrencës riafirmon përkushtimin e tij për të mbrojtur konkurrencën e ndershme, konsumatorin dhe funksionimin e lirë dhe të drejtë të tregut në Kosovë. /Kosova.info/
