Pavkoviq: Pritet që emisari i ri special i BE-së ta rifillojë atë dialogun

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i ngrirë për shkak të krizave politike në të dyja vendet, vlerëson Milosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane. Ai sugjeron se vetëm pas formimit të institucioneve të reja mund të pritet një rifillim i vërtetë i procesit të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është aktualisht i ngrirë, ndërsa pritet që emisari i ri evropian të iniciojë takime dhe të hapë çështje kyçe si zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese. Kështu vlerëson procesin Milosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane. Ai i sheh takimet e deritanishme në Beograd dhe Prishtinë si hapje formale pa lëvizje domethënëse.

“Dialogu është shtyrë në plan të dytë, për shkak të rrethanave politike – mungesës së qeverisë së re në Prishtinë dhe krizës së thellë në Beograd. Rifillimi është i mundur vetëm pas zgjidhjes së këtyre krizave”, thekson Pavkoviq.

Në studimin e tij për procesin e normalizimit, Pavkoviq evidenton dallime të thella në qasjet ndaj dialogut. Në Kosovë, ai shihet si rrugë drejt njohjes së ndërsjellë, ndërsa në Serbi si proces që duhet të zhvillohet në kuadër të Rezolutës 1244. Si kompromis, përmendet normalizimi i marrëdhënieve pa njohje formale të shtetësisë.

“Një nga narrativat kryesore është ai i njohjes funksionale, bazuar në Marrëveshjen e Ohrit, që parasheh njohje de facto të Kosovës dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, pa njohje formale. Kjo narrativë gjen mbështetje të gjerë mes aktorëve të ndryshëm”, shpjegon Pavkoviq.

Duke folur për efektet konkrete, Pavkoviq thekson se pavarësisht stagnimit aktual dialogu ka mundësuar integrimin e komunitet serb dhe lirinë e lëvizjes. Megjithatë, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet ende e pazgjidhur. Për suksesin e mëtejshëm, ai nënvizon se bashkërendimi i veprimeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë vendimtar.

Go to TOP