Dushi kundër bllokadave: Mos ma blloko Prishtinën!
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quajti ai, përpjekjeve për të bllokuar zhvillimin e kryeqytetit nga individë dhe struktura që veprojnë sipas diktatit partiak. Në një deklaratë publike, Dushi theksoi se ndalimet dhe pengesat mbi projektet madhore të Prishtinës po vendosen jo mbi fakte, por mbi hamendësime dhe joprofesionalizëm të skajshëm.
“Kur vendimmarrja shtetërore udhëhiqet jo nga interesi publik, por nga kalkulime politike të ulëta, i vetmi që humb është qytetari i Prishtinës,” u shpreh ai duke shtuar se kryeqyteti nuk mund të mbahet peng i inateve politike apo i frikës nga zhvillimi.
Dushi paralajmëroi se institucionet komunale nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë këtyre bllokadave dhe se do të veprojnë në të gjitha format e mundshme – ligjërisht, institucionalisht dhe me përballje publike.
Në fund të deklaratës së tij, ai dha një mesazh të drejtpërdrejtë: “Mos ma blloko Prishtinën.”/Kosova.info/
