Bllokadë dhe cirk në kuvend: Nga ngërçi politik tek zgjedhjet e pashmangshme?
Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i paralizuar nga bllokada politike duke shkaktuar reagime të forta nga analistë dhe njohës të zhvillimeve politike. Shenoll Muharremi, Ardian Çollaku dhe Eugen Cakolli japin interpretimet e tyre për krizën duke paralajmëruar pasoja dramatike në zgjedhjet e ardhshme dhe duke vënë në pah mungesën e vullnetit politik për zgjidhje.
Muharremi: Po skuqemi për Kuvendin, bllokada i shërben vetëm Beogradit
Situata e rënduar në Kuvendin e Kosovës ka nxitur reagime të ashpra nga njohës të zhvillimeve politike. Shenoll Muharremi shprehet se bllokada aktuale është turpëruese dhe i shërben vetëm pushtetit nacionalist në Beograd.
“A bllokohet një shtet për teke të individëve?”, pyet ai duke theksuar se mungesa e respektit për luftën dhe përpjekjet globale që çuan në krijimin e Kuvendit aktual është alarmante.
Sipas tij, sa më e thellë bllokada, aq më dramatik do të jetë ndëshkimi në zgjedhjet e ardhshme.
Çollaku: Cirku politik do të prodhojë koalicion të madh ose zgjedhje të reja
Nga ana tjetër, gazetari Ardian Çollaku parashikon dy skenarë të mundshëm për zgjidhjen e krizës: një koalicion i madh mes VV-së dhe PDK-së, i ngjashëm me vitin 2014, ose mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Ai thekson se aktualisht Kurti shpreson për një koalicion me LDK-në, por një bashkëpunim i tillë do të ishte “fatal” për këtë parti, duke e zhytur atë në nivele historike të ulëta.
Cakolli: Kuvendi po tallet me qytetarët, marrëveshja s’do vijë rastësisht
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka quajtur tallje me qytetarët e Kosovës, atë që po bën Kuvendi i Kosovës që nga 15 prilli.
“Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët. Edhe sot, një të diel, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin. Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Sipas tij, një marrëveshje e mundshme do të vërehej përmes deklaratave të reja e narratives së ndryshuar, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar”, ka shtuar ai. /Kosova.info/
Deri atëherë, Cakolli thotë se shfaqja teatrale në Kuvend do të vazhdojë me të njëjtët aktorë dhe skenarë të njohur. /Kosova.info/
