Mourinho mund ta drejtojë Portugalinë në Kupën e Botës
Jose Mourinho mund të jetë në pankinën e Portugalisë në finalet e Kupës së Botës të vitit 2026.
Sipas mediave të njohura ndërkombëtare, si CNN dhe BeIn Sports, Federata Portugeze e Futbollit ka nisur të shqyrtojë opsione për trashëgimtarin e Roberto Martinez në krye të kombëtares dhe në qendër të planeve është trajneri aktual i klubit turk, Fenerbahce.
Synimi i Federatës është që ta ketë Mourinhon në krye të skuadrës për Botërorin 2026, në një përpjekje për të rritur shpresat për sukses në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, vendimi përfundimtar do të varet nga rezultati i Portugalisë në finalet e nations League.
Nëse vendoset për një ndërrim, Federata është e gatshme të paguajë edhe klauzolën e prishjes së kontratës së Mourinhos me Fenerbahc, për ta liruar atë dhe për ta ulur në stolin e kombëtares.
Mourinho, i cili ka fituar gjithçka në nivel klubesh me ekipe si Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid dhe Manchester United, nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të drejtuar një ditë kombëtaren e vendit të tij. Në disa intervista të mëparshme, ai kishte thënë se do ta konsideronte një nder të madh të udhëhiqte Portugalinë, duke e cilësuar atë si sfidën më të veçantë në karrierën e tij.
