Guvernatori Ismaili takon përfaqësuesit e IFC: Theksohet bashkëpunimi për reforma dhe zhvillim të qëndrueshëm financiar në Kosovë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga delegacioni i BQK-së, zhvilloi një takim me znj. Ines Rocha, Drejtore Rajonale për Evropë në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore. 

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili informoi znj. Rocha dhe Drejtorin e sapoemëruar Rajonal, z. Marcello Castellanos, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe reformat e ndërmarra nga BQK në fusha kyçe, si: modernizimi i sistemit të pagesave, digjitalizimi i shërbimeve financiare, avancimi i kornizës ligjore, rritja e përfshirjes financiare dhe promovimi i edukimit financiar – në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Në qendër të diskutimit ishin gjithashtu edhe zhvillimet në lidhje me rreziqet klimatike dhe mjedisore, me theks të veçantë në avancimin e kornizës ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për t’i adresuar ato në sektorin financiar.

Palët diskutuan edhe mbi projektet në zhvillim që lidhen me avancimin e sistemit të pagesave dhe forcimin e kornizës ligjore për institucionet financiare jobankare, të cilat po mbështeten nga IFC. Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje dhe theksoi rëndësinë e saj për sektorin financiar në Kosovë.

Në përmbyllje, u ritheksua përkushtimi i përbashkët për vazhdimin e projekteve ekzistuese dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me qëllim të përmirësimit të qasjes në financa dhe ofrimit të shërbimeve financiare gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP