LDK përkujton Ismet Rracin në 24-vjetorin e vrasjes – zbulohet pllaka përkujtimore në selinë qendrore

Në 24-vjetorin e vrasjes së Ismet Rracit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përuruar sot një pllakë përkujtimore në selinë qendrore të partisë, në praninë e familjarëve, deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi figurën e Rracit si simbol të përkushtimit demokratik dhe atdhetar.

“Ismet Rraci ishte një nga burrat e shquar të shtëpisë sonë politike. Ai dha gjithçka për Kosovën, për lirinë dhe demokracinë,” tha Abdixhiku. Ai shtoi se pllaka përkujtimore, e vendosur pranë figurave si Enver Maloku, Xhemajl Mustafa dhe Nekibe Kelmendi, do të qëndrojë si dëshmi e veprës së tij.

Ismet Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë dhe pas luftës u zgjodh kryetar i Komunës. Ai u vra më 24 prill 2001, pranë hyrjes së banesës së tij, ndërsa autorët e vrasjes mbeten ende të lirë. Sot, biri i tij, Albani, është kryetar i degës së LDK-së në Klinë, duke vazhduar trashëgiminë politike të të atit. /Kosova.info/


Go to TOP