RGK dënon gjuhën diskriminuese ndaj grave politikane: Kërkon respekt, barazi dhe veprim institucional
Rrjeti i Grave të Kosovës (RGK) ka reaguar ashpër ndaj gjuhës fyese, denigruese dhe diskriminuese që po përdoret ndaj grave politikane në diskursin publik, sidomos gjatë kësaj periudhe të ndjeshme të formimit të legjislaturës dhe institucioneve të reja shtetërore.
RGK thekson se në një shoqëri demokratike, gratë kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën politike në mënyrë të barabartë, të zgjidhen dhe të përfaqësojnë qytetarët pa u përballur me sulme personale, margjinalizim apo nënçmim publik. Organizata thekson se çdo formë e tillë e sulmit është shkelje e të drejtave të njeriut dhe dëmton seriozisht proceset demokratike në vend.
“Gjuha publike ka ndikim real në jetën dhe sigurinë e çdo politikani, burrë apo grua,” thuhet në reagimin e RGK-së, duke shtuar se gjuha e urrejtjes, seksizmi dhe stereotipat gjinore nuk kanë vend në asnjë diskutim politik apo publik.
Për këtë arsye, RGK i bën thirrje të gjitha partive politike, përfaqësuesve institucionalë, mediave dhe opinionit publik që të kontribuojnë në ndërtimin e një ambienti politik dinjitoz, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në respekt.
Sipas organizatës, nuk mund të ketë institucione të forta dhe përfaqësim të drejtë pa barazi gjinore, duke theksuar se çdo sulm ndaj grave që angazhohen në politikë është një sulm ndaj vetë demokracisë.
Në fund, RGK u bën thirrje institucioneve përkatëse që të monitorojnë gjuhën diskriminuese dhe të ndërmarrin masa të nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi, pa dallim gjinie.
RrGK riafirmon përkushtimin e saj për të mbështetur dhe fuqizuar gratë në politikë, duke theksuar se ky është momenti i duhur për të ndërtuar jo vetëm institucione të reja, por edhe një kulturë të re politike – të respektit dhe barazisë. /Kosova.info/
