Tahiri pas dështimit të seancës: PDK-së i takon kryeministri, Kurti të bëhet pastaj president
Ish zëvendëskryeministrj, Elita Tahiri, ka reaguar pas dështimit të katërt radhazi për konstituivin e Kuvendit duke e cilësuar këtë si dëshmi të nevojës për një marrëveshje të gjerë politike, që përfshin edhe ndarjen e pushtetit në mënyrë të balancuar ndërmjet partive.
Tahiri ka propozuar që organet e Kuvendit dhe formimi i Qeverisë të trajtohen në një pako të vetme, me ndarje të qartë të roleve: “PDK-së i takon posti i kryeministrit, ndërsa Albin Kurtit le t’i premtohet se do të bëhet president pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.”
Sipas saj, presidentja aktuale Osmani “ka pasur mjaft me një mandat si presidente, gjatë të cilit ka qëndruar gojëkyçur për shumë çështje me rëndësi.”
Ky propozim vjen në një kohë krize institucionale, ku mungesa e konsensusit politik po e vonon formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve duke e lënë vendin në një bllokadë të zgjatur politike. /Kosova.info/
