Cakolli: Kuvendi dështon sërish, mungon shumica për Kryetar – koha për reflektim dhe kompromis
Për të tretën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë Kryetarin e tij duke e lënë institucionin pa udhëheqje për shkak të mungesës së marrëveshjes politike dhe mungesës së një kandidature të propozuar zyrtarisht.
Analisti Eugen Cakolli tha se dështimi i njëpasnjëshëm tregon se “e njëjta formulë nuk do të prodhojë papritur aritmetikë tjetër parlamentare”. Ai thekson se, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, partia fituese ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar, ndërsa deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në votim – por jo domosdo të votojnë pro.
Sipas Cakollit, në mungesë të shumicës, partitë duhet të hyjnë në diskutime serioze për të gjetur një kompromis dhe për të shmangur zvarritjen e mëtejshme institucionale. Ai shton se, nëse nuk ka lëvizje konkrete, së paku duhet të nisë reflektimi – si për qasjen e ndjekur deri më tani, ashtu edhe për vetë opsionet politike që kanë sjellë këtë ngërç.
Mosfunksionimi i Kuvendit rrezikon të paralizojë vendimmarrjen institucionale në një moment sfidues për vendin duke rritur presionin për një zgjidhje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse. /Kosova.info/
