`Mbrojtja e Pyjeve`, kapet automjeti me drunj të paligjshëm në Kashtanjevë
Në kuadër të planit “Mbrojtja e Pyjeve”, Policia në Shtërpcë ka ndërmarrë një aksion në fshatin Kashtanjevë, ku ka ndaluar një automjet që transportonte drunj të prerë ilegalisht dhe pa dokumentacion përkatës.
Njësitet policore nga stacioni i Shtërpcës kanë zhvilluar një aksion në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve”, ku kanë ndaluar një automjet të tipit “gjip” me targa të skaduara, që po transportonte drunj pa dokumentacion të nevojshëm.
Bëhet e ditur se aksioni është realizuar në fshatin Kashtanjevë, mbi bazën e informacioneve operative, ndërsa si rezultat është konfiskuar automjeti dhe materiali drusor. Të njëjtat janë sekuestruar për procedura të mëtejme ligjore dhe ndëshkimore.
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se do të vazhdojë përpjekjet për të parandaluar prerjen dhe tregtimin e paligjshëm të drunjve, duke u bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë përmes raportimit të rasteve.

