Muharremi: Qeveria duhet ndërtuar mbi legjitimitet dhe përfaqësim real, jo mbi kombinime numrash me vota minimale

Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur sot shqetësime lidhur me mënyrën e ndërtimit të qeverisë së ardhshme duke theksuar se stabiliteti dhe legjitimiteti duhet të jenë parimet udhëheqëse, jo kalkulimet e thata numerike që përfshijnë vota minimale dhe agjenda personale.

Ai ka ndarë me ndjekësit e tij një ilustrim domethënës, ku thekson se vetëm 23,139 vota në total kanë sjellë në Kuvend 11 deputetë nga komunitetet jo-shumicë, të zgjedhur nga ulëset e garantuara dhe rezervuara. Sipas tij, kjo është një pasqyrë e qartë për mungesën e peshës reale demokratike që këta deputetë kanë, në raport me përfaqësuesit e tjerë.

“Ka deputetë që janë zgjedhur me vetëm 573 vota, e më i votuari nga ta ka marrë vetëm 3,180. Ndërkohë, vetëm një deputete – Hykmete Bajrami – ka fituar 54,227 vota, që është afërsisht 2.34 herë më shumë sesa të gjithë këta 11 deputetë bashkë,” ka theksuar Muharremi.

Ai ka theksuar se Kosova ndodhet në një periudhë të vështirë, përballë krizave energjetike dhe sfidave globale të pasigurta, prandaj nuk ka më luksin për të krijuar një “qeveri koti” që mbështetet mbi vota të pakta dhe përfaqësim të dobët.

“Qëllimi duhet të jetë një qeveri stabile dhe kompetente, jo çfarëdo kombinimi që ‘i bën numrat’ por që rrezikon stabilitetin e vendit. Kjo nuk i duhet askujt dhe nuk na sjell asnjë hajr”, ka shtuar ai duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit serioz dhe legjitim në qeverisje.

Muharremi përfundon duke nënvizuar se çdo votë është e vlefshme dhe e shenjtë, por është e nevojshme të kuptohet qartësisht kualiteti dhe pesha reale demokratike e përfaqësimit politik në Kuvend. /Kosova.info/


Go to TOP