Ramiqi: Ajri i ndotur ndikon më keq te fëmijët sesa tek të rriturit

Timur Ramiqi nga zyra e UNICEF-it në Kosovë duke folur për fushatën “Ajër të pastër për çdo fëmijë” bëri me dije se fëmijët i kanë pasojat më të mëdha nga ndotja e ajrit dhe janë ata që do të trashëgojnë atë që lëmë mbrapa.

“Për përmirësim të ajrit janë shumë elemente, po çfarë mund të bëjmë është informimi, avokimi, aktivizmi i të rinjve”, tha ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Ramiqi theksoi se “më 2019 e kemi bërë një analizë, raport të situatës, për të kuptuar ku gjendemi”. “E kemi parë që ajri është i ndotur dhe, po ashtu, kemi parë ndikimin e tij te shëndeti i fëmijës. Ajri i ndotur ndikon më keq te fëmijët sesa tek të rriturit”, tregoi Ramiqi.

Ndër të tjera, ai bëri me dije se në raportin e vitit 2019, në bazë të analizës së ekspertit për ndotjen e ajrit, del se përqindja më e madhe e ndotjes bëhet prej shtëpive. “80 % e shtëpive në Kosovë ngrohen me dru dhe pelet. Për rëndësinë e ajrit të patër, ne e kemi një program, në të cilin i  ftojmë të rinjtë të aplikojnë. Një kampanjë e kemi bërë në komunën e Shtimes. Një grup i të rinjve atje kanë bërë një shfaqje për ajrin për fëmijët e klasave fillorë, për të kuptuar ata ajrin përmes shfaqjes”, shtoi ai.


Go to TOP