Cakolli: Nuk ka vakum ligjor – ka zgjedhje politike për të sfiduar rendin demokratik
Eugen Cakolli ka reaguar pas debatit të nxitur nga dështimi i seancës konstituive të Kuvendit duke theksuar se një ministër, pavarësisht nëse është “në detyrë” apo me “mandat të kryer”, mbetet pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk mund të ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e deputetit.
“Nëse je ende në Qeveri – në çfarëdo kapaciteti – je pjesë e pushtetit ekzekutiv,” shkroi ai duke theksuar se ligji ndalon mbajtjen e dy funksioneve nga një individ, jo për arsye formale, por për të ruajtur rendin demokratik.
Sipas tij, rasti i mosdorëheqjes së ministrave apo kryeministrit përpara marrjes së mandatit si deputet nuk është zbrazëti ligjore, por një zgjedhje politike për të shtyrë kufijtë e rregullit. “Kemi një zgjedhje të qëllimshme për të sfiduar rregullin,” tha Cakolli.
Ai sqaroi gjithashtu se sistemi institucional ka instrumente tranzicioni për të funksionuar edhe pa individët aktualë në detyrë, dhe se shteti nuk qëndron mbi emra të përveçëm, por mbi funksionin dhe rregullin.
Në fund, Cakolli e përmbyll qëndrimin e tij me theksin se askush nuk mund të qëndrojë njëkohësisht në dy pushtete, dhe pas dorëheqjes nga ekzekutivi, nuk ka më të drejtë as për vendimmarrje, as për të qëndruar fizikisht në ndërtesën e Qeverisë. /Kosova.info/
