KMDLNj: Rritja e rrymës nga ZRrE, krim ekonomik ndaj qytetarëve – kërkohen protesta gjithëpopullore
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për të rritur çmimin e energjisë elektrike për 16%. Reagimi vjen në një moment kur qytetarët e Kosovës, përmes deklarimeve të vazhdueshme publike, janë shprehur kundër shtrenjtimit të rrymës, veçanërisht para zgjedhjeve kur u premtoa se nuk do të ketë rritje të tarifave.
Sipas KMDLNj-së, ky veprim i ZRrE-së, me përkrahje të heshtur të qeverisë në detyrë “Kurti 2”, përbën një krim të organizuar institucional që godet rëndë mirëqenien e qytetarëve. Ata akuzojnë një ministre të qeverisë për propozime të “provokuese dhe injorante” që synonin rritjen selektive të faturave, përfshirë edhe penalizimin e atyre që shpenzojnë mbi 800 KW rrymë.
KMDLNj kujton se ZRrE është kapur më parë duke i vjedhur qytetarët për më shumë se 15 vjet – fakt i vërtetuar edhe nga gjykatat – me qëllim mbulimin e borxheve të energjisë të qytetarëve serbë në veri, të cilët nuk e kanë paguar asnjëherë rrymën.
Pavarësisht reagimeve të forta nga komuniteti i ekspertëve, bizneset, sindikatat, pensionistët dhe organizatat për të drejtat e konsumatorit, Qeveria dhe ZRrE, sipas KMDLNj-së, kanë injoruar kërkesat legjitime dhe kanë ecur përpara me vendimin skandaloz. Për më tepër, rritja është aplikuar për të gjitha kategoritë e konsumatorëve pa asnjë përjashtim.
Duke e konsideruar këtë si një sulm direkt ndaj standardit jetësor të qytetarëve, KMDLNj kërkon që protestat të përhapen në të gjitha qytetet e Kosovës duke përfshirë të gjitha shtresat shoqërore, pa dallim etnie, feje, moshe apo bindjeje politike. Krahas protestave, kërkohet edhe shkarkimi i bordit të ZRrE-së, hetim për importimin dhe eksportimin e energjisë, kompensim për vjedhjet 15-vjeçare ndaj qytetarëve, si dhe eliminimi i taksës fikse prej 2 eurove që aplikohet padrejtësisht për mbi 500 mijë njehsorë.
KMDLNj fton sindikatat, organizatat e veteranëve, pensionistët, studentët dhe të gjithë punëtorët e sektorëve publikë të protestojnë fuqishëm, të kërkojnë indeksimin e çmimeve dhe rritjen e pagave, pensioneve e ndihmave sociale. Në fund, KMDLNj shprehet se mbështet çdo formë të rezistencës qytetare – përfshirë grevat e urisë – në mbrojtje të dinjitetit dhe mbijetesës së tyre.
Sipas KMDLNj-së, nëse kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të shpërfillen, atëherë protestat duhet të jenë të përditshme dhe gjithëpërfshirëse, për t’i dhënë fund padrejtësive ekonomike të shkaktuara nga institucionet shtetërore dhe ZRrE-ja, të cilën e konsideron një instrument kriminal në dëm të qytetarëve. /Kosova.info/
