“Asnjë cent më shumë”: Topanica thërret për protestë kundër rritjes së çmimit të rrymës
Publicisti Imer Topanica ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila e arsyetoi mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike me ndryshimet në bursat ndërkombëtare. Sipas Topanicës, kjo është një logjikë absurde duke pasur parasysh se Kosova është vend prodhues i energjisë dhe nuk mund të trajtohet si treg ndërkombëtar.
“Nëse produkti prodhohet në vendin tonë, si mund të ndërlidhet me bursat e jashtme? Kjo është tallje me qytetarët. Rritja e çmimeve është bërë lojë në kurriz tonin,” ka shkruar Topanica.
Ai ka kritikuar edhe kryeministrin në detyrë duke thënë se “mirë që nuk e kanë pyetur, sepse me siguri do ta ndërlidhte edhe këtë çështje me ndonjë luftë hibride”. Sipas tij, heshtja e institucioneve dhe pranimi i kësaj politike tarifore është dëshmi se askush nuk po mbron interesin e qytetarëve.
Topanica ka bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje masive në protestën që pritet të organizohet kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, me moton: “Asnjë cent më shumë!”. /Kosova.info/
