Tregjet amerikane bien pas pezullimit të tarifave nga Trump

Një ditë pas një rritjeje historike në bursat amerikane, tregjet në SHBA e nisën ditën me rënie, duke reflektuar pasigurinë që pason vendimin e presidentit Trump për të pezulluar për 90 ditë rritjen e tarifave doganore.

Ky ndryshim strategjik në qasjen e Shtëpisë së Bardhë vjen pas presioneve ndërkombëtare dhe shqetësimeve të brendshme mbi pasojat ekonomike të një lufte tregtare globale.

Ndërsa tregjet evropiane dhe aziatike kishin shënuar rritje për shkak të këtij lajmi, bursat amerikane e nisën ditën me rënie.

Ky kthim pas në tarifat e propozuara duket se ka sjellë më shumë paqartësi sesa qetësi. Bizneset janë ende duke analizuar çfarë nënkupton pezullimi 90-ditor për zinxhirët e tyre të furnizimit dhe kostot operative.

Megjithëse Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë vendosjen e tarifave të tij hakmarrëse, shumë nga tarifat e SHBA-së mbeten në fuqi, përfshirë një taksë të përgjithshme 10% për të gjitha vendet përveç Kinës, si dhe tarifa 25% për aluminin, çelikun dhe makinat.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet tregtare me Kinën po përshkallëzohen. presidenti Trump vendosi tarifa të reja 125% për mallrat kineze, ndaj të cilave Kina reagoi me vendosjen e tarifave hakmarrëse prej 84%.

Në këtë sfond të tensionuar, këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, tha se administrata është pranë nënshkrimit të marrëveshjeve tregtare me disa partnerë kryesorë.

Ndikimi në tregun e naftës gjithashtu ka qenë i ndjeshëm. Çmimi i naftës Brent ra ndjeshëm, pas një rikuperimi të përkohshëm që pasoi fjalimin e Trump të njohur si “Dita e Çlirimit”. Siç u shpreh një analist: “Çdo ditë Shtëpia e Bardhë po ofron një aventurë të re për investitorët”. Në këtë klimë, edhe lajmet pozitive si rënia e inflacionit, nuk mjaftojnë për të sjellë stabilitet të sigurt.

Fjalët e presidentit Trump: “Çfarë dite, por po vijnë ditë më të mëdha”, e pasqyrojnë optimizmin e tij, por tregjet po reagojnë me kujdes dhe ndonjëherë me skepticizëm.


Go to TOP