Rama: Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2025”, një hap i madh për zhvillimin e kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar lart organizimin e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025” duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së Prishtinës dhe Kosovës në hartën botërore të turizmit.
Në një reagim publik, Rama theksoi përkushtimin e institucionit që ai drejton për ta bërë turizmin një shtyllë të fuqishme të zhvillimit ekonomik për kryeqytetin duke u bazuar në vlerat e pasura kulturore, bukuritë natyrore, gastronominë unike dhe mikpritjen e njerëzve.
“Po punojmë me përkushtim që turizmi të bëhet shtyllë zhvillimi për kryeqytetin, përmes kulturës, natyrës, gastronomisë dhe njerëzve që e duan këtë vend,” u shpreh Rama.
Ai falënderoi të gjithë ata që, përmes angazhimit dhe profesionalizmit të tyre, po kontribuojnë në promovimin e Kosovës si një destinacion atraktiv për vizitorët ndërkombëtarë.
“Përpjekjet tuaja po e vendosin Kosovën në hartën botërore si një vend që duhet vizituar,” theksoi ai.
Panairi “Kosova 2025” pritet të jetë një pikë takimi për operatorët turistikë, profesionistët e industrisë dhe të apasionuarit pas udhëtimeve duke ofruar mundësi konkrete për promovim, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik. /Kosova.info/
