KRM “Pastrimi” akuzon Komunën e Prishtinës për veprime të kundërligjshme dhe paralajmëron përmbarim ndaj qytetarëve pas 20 prillit
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” SH.A. ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të Komunës së Prishtinës duke i cilësuar ato si të kundërligjshme dhe me pasoja të rënda për qytetarët dhe vetë ndërmarrjen. Sipas njoftimit zyrtar, Komuna ka dërguar fatura për tremujorin e dytë të vitit 2025 (prill-qershor), së bashku me paralajmërime për përmbarim në rast të mos pagesës – veprim ky që sipas “Pastrimit” bie ndesh me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave.
Bazuar në Rregulloren Nr. 01-030/01-227581/23 të datës 1 dhjetor 2023 dhe ndryshimin e saj më 6 dhjetor 2024, kompetenca për faturim dhe inkasim të tarifave i takon ekskluzivisht KRM “Pastrimi” SH.A. Sipas nenit 4 të kësaj rregulloreje, faturimi bëhet në baza mujore nga vetë kompania, ndërsa pagesat derdhen direkt nga qytetarët në llogarinë e “Pastrimit”. Përjashtim bëjnë vetëm kategoritë e liruara me ligj, për të cilat paguan Komuna.
Nga 1 janari 2025 e deri më sot, “Pastrimi” ka vazhduar shërbimin në tërë territorin e Prishtinës, por sipas kompanisë, nuk ka marrë asnjë pagesë nga Komuna dhe shumë pak nga vetë qytetarët. Humbjet e raportuara për këtë periudhë kapin shifrën prej 2,157,600 eurosh – rrezik që, sipas tyre, mund të çojë në pamundësi për të kryer shërbimet bazike.
“Pastrimi” paralajmëron se pas datës 20 prill 2025 do të procedojë të gjithë gjeneruesit e mbeturinave që nuk kanë kryer pagesat drejt përmbaruesve privatë duke u bazuar në Ligjin për Procedurën Përmbarimore, konkretisht nenin 29, i cili e njeh faturën si dokument të besueshëm për përmbarim.
Në këtë drejtim, kompania ka drejtuar më 7 prill një letër zyrtare tek Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për ta informuar mbi situatën dhe për të kërkuar ndaljen e keqinformimit dhe dëmtimit financiar të ndërmarrjes publike. Ajo kërkon që deri më 20 prill të sqarohen publikisht kompetencat dhe detyrimet lidhur me pagesat e mbeturinave.
Sipas kompanisë, veprimet e Komunës nuk kanë për bazë asnjë akt juridik dhe mund të jenë pjesë e një skeme për t’i hapur rrugë operatorëve privatë përmes kontratave në vlerë mbi 18.5 milionë euro për tre vite duke rrezikuar funksionimin dhe të ardhmen e ndërmarrjes publike “Pastrimi”.
Në përmbyllje, “Pastrimi” thekson se për çdo keqinformim zyrtar, përfshirë komunikimet nga DSHP dhe faturat e dërguara me paralajmërime për përmbarim, përgjegjësinë ligjore dhe financiare do ta bartë Kryetari i Komunës dhe menaxhmenti përkatës. /Kosova.info/
