Kica-Xhelili: Për katër vite Kurti shërbeu përçarjes, jo bashkimit të shqiptarëve
Deputetja e Grupit të Pavarur, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti duke e akuzuar për thellimin e ndasive politike ndërshqiptare gjatë katër viteve të qeverisjes së tij.
Sipas saj, Vetëvendosje është një shembull klasik i një partie që mbijeton vetëm përmes krijimit të ndasive dhe gjetjes së fajtorëve të jashtëm. Ajo theksoi se Kurti nuk e ka konsideruar të përshtatshëm asnjë politikan opozitar shqiptar dhe tani, pasi i janë mbyllur dyert nga faktorët më të fuqishëm politikë shqiptarë, po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik përmes akuzave për ndërhyrje të jashtme.
“Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP, e akoma më shpesh vetë rendi kushtetues,” ka deklaruar Kica-Xhelili duke shtuar se pas përpjekjeve për të denigruar bashkëpunimin politik ndërshqiptar, Kurti e ka reduktuar qeverinë e ardhshme që synon në “biseda pazaresh”.
Ajo përfundoi duke thënë se Kosova e pasluftës nuk ka njohur ndonjëherë një diskurs më përçarës duke shtuar se kushdo që e synon përçarjen e shqiptarëve, nuk mund të sjellë bashkim e as stabilitet, as në kohë paqeje, e as në kohë krize. /Kosova.info/
