Krasniqi: Kurti nuk e denoncoi Serbinë, por veten – po i dorëzon institucionet te deputetët e shantazhuar

Gazetari Besnik Krasniqi ka kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti duke e akuzuar se në vend se të denoncojë Serbinë dhe Milan Radoiçiqin, ka denoncuar vetveten për dorëzimin e institucioneve të vendit në duart e deputetëve të shantazhuar.

Në një reagim të tij pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Krasniqi i referohet komunikatës së Qeverisë, ku thuhet se “përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar de facto i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbe, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja” 0 ndërhyrje që, sipas Qeverisë, po bëhet përmes kërcënimeve, joshjeve dhe shantazheve.

“Ky është një akt tragjik politik,” ka thënë Krasniqi duke shtuar se është shqetësuese se si Kurti ka vendosur që konstituimi dhe funksionimi i institucioneve të varet nga deputetë që janë të ekspozuar ndaj ndikimit të Radoiçiqit.

Ai i bën thirrje Kurtit që të komunikojë me mbi 50 deputetët shqiptarë të tri subjekteve politike që janë pjesë e legjislaturës së re dhe të mos e varë fatin institucional të vendit në duar të pasigurta: “Fol me ta, aman! Mos i ndërro me deputetë të ekspozuar ndaj kërcënimit, joshjes e shantazhit të Radoiçiqit.” /Kosova.info/


Go to TOP