Ahmeti takim vëllazëror me Presidentin Begaj: E ardhmja e rajonit është në paqe dhe integrim evropian
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim vëllazëror dhe të përzemërt me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj, ku temë kryesore ishte situata politike në Maqedoninë e Veriut, zhvillimet rajonale dhe rruga drejt integrimit evropian.
Ahmeti dhe Presidenti Begaj ndanë shqetësimin për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon duke theksuar se situata nuk po ecën në drejtimin e duhur. Megjithatë, Ahmeti u shpreh optimist për kapacitetet që ka Maqedonia e Veriut për të përballuar sfidat duke nënvizuar se “ajo që mungon nuk është aftësia, por vullneti – vullnet që duhet të jetë i ndërsjellë”.
Në takim u theksua nevoja për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë atë të Prespës dhe marrëveshjet për fqinjësi të mirë, që janë thelbësore për rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Të dy liderët u dakorduan se stabiliteti i qëndrueshëm dhe integrimi i plotë i rajonit në BE është rruga e vetme për një të ardhme të sigurt, ndërsa paqja duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke përfshirë të gjitha vendet dhe popujt e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për mbrojtjen e Kushtetutës së saj dhe theksoi se Tirana do të jetë gjithmonë mbështetëse dhe gardiane e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje të përbashkët në paqe, stabilitet dhe dinjitet. /Kosova.info/
