Begaj shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Margarita Xhepës: Ylli i skenës dhe ekranit shqiptar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa. Në një mesazh prekës, ai e cilësoi Xhepën si një yll të skenës dhe ekranit shqiptar, e cila përmes interpretimit të saj ka sjellë dritë në familjet shqiptare.

Begaj vlerësoi kontributin e saj të jashtëzakonshëm në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës në artin skenik e kinematografik. Ai nënvizoi se edhe në vitet e fundit të jetës, Xhepa vijoi të ishte e përkushtuar ndaj artit dhe e përdori talentin e saj për të mbështetur kauza të rëndësishme, sidomos në mbrojtje të grave dhe fëmijëve.

“Ngushëllimet e mia më të ndjera shkojnë për familjen, komunitetin e artistëve shqiptarë dhe mbarë shqiptarët që e kanë ndjekur dhe duartrokitur artin e saj ndër vite,” shkroi Begaj.

Margarita Xhepa, një nga ikonat më të mëdha të kinemasë dhe teatrit shqiptar, do të kujtohet gjithmonë për rolet e saj të paharrueshme dhe ndikimin e madh në kulturën shqiptare. /Kosova.info/

Go to TOP